Fondacioni Kosovar për Ndërmarrje Sociale lanson programin “punedore” koncept i ndërmarrjes sociale për persona me aftësi të kufizuara.
Z. Rastislav Kostilink, Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës Sllovake në Prishtinë, me të marrë fjalën përshëndeti të pranishmit dhe shtoi “Ne besojmë se shëndeti mendor është më i rëndësishmi dhe kemi fokusuar përpjekjet tona në këtë drejtim. Kujdesemi për personat që shihen si të margjinalizuar për të mundësuar që ata të kenë një jetë më të mirë. Projekti po ecën përpara dhe besojmë se në fund të tij do të kemi rekomandime për të përmbushur një jetë më të mirë për këta persona”.
Driton Bajraktari, Drejtor i Fondacionit Kosovar për Ndërmarrje Sociale, tha se programi bazohet në konceptin e ndërmarrjeve sociale, që kanë për qëllim të aktivizojnë grupet e cenuara të popullatës në një jetë të zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe të përfshijnë ata në tregun e punës. Programi synon që këta persona të gjejnë veten në një jetë socio-ekonomike.
Bashkë me Klubin “Dëshira”, jemi bërë bashkë të ndërtojmë këtë progrm bazuar në konceptin e ndërmarrjeve sociale si një fushë të re në vendin tonë. Driton Bajraktari shpjegoi se si mund të arrihet qasja në produktet që janë punuar nga personat me aftësi të kufizuara.
Adelina Sahiti, Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, tha se ky program vë në pah talentin dhe aftësitë që i kanë këta persona. Ajo tha se kryeqyteti ka qenë gjithmonë pranë këtyre grupeve dhe se dera për këta persona është gjithmonë e hapur në rrugën e zhvillimit të ndërmarrjeve sociale si një fushë të re në vendin tonë.
Nusret Shilliva, Drejtori i “Klubit Dëshira”, tha se anëtarët e klubit përfaqësojnë një punë të madhe në funksion të jetësimit të këtij programi dhe të shumë programeve të tjera në të cilat ata marrin pjesë vazhdimisht. Bashkëpunimi me Fondacionin për Ndërmarrje Sociale ka rritur potencialin e anëtarëve dhe ka mundësuar rritjen e kreativitetit tek ata.
Ky program ka filluar në muajin nëntor dhe ka përfshirë 10 persona të zgjedhur me aftësi të kufizuara, të cilët kanë prodhuar produkte të ndryshme përmes punës së dorës. Gjatë zhvillimit të aktiviteteve, janë identifikuar edhe aftësitë e punës së anëtarëve. Punimet e realizuara në këtë projekt mund të porositen dhe të blihen në faqen e Klubit “Dëshira” dhe në faqen e #punedore.shop